27May2015
ASP_9950

Elina Duni Concert at Piramida

 

TIRANE-Elina Duni është larguar nga Shqipëria në moshën 10-vjeçare dhe pjesën më të madhe të edukimit të saj muzikor e ka marrë në Zvicër. Ajo ka realizuar 8 albume muzikore. Albumi “Muza e zezë” e sjell atë për herë të parë edhe si kantautore. Është cilësuar nga kritika si një prej zërave më të mirë shqiptarë, madje e madhja Nexhmije Pagarusha në një intervistë të para pak kohëve për ne u shpreh se Elina është zëri që atë e lë pa fjalë…

ASP_9914

Vjen në Tiranë me një koncert përpara publikut shqiptar. Ku do të bëhet ky koncert?
Do të bëj prezantimin e albumit tim “Muza e zezë”. Koncerti do të bëhet tek Piramida shoqëruar edhe me video-projeksione. Biletat e shitura nga ky koncert do të shkojnë për një kauzë bamirësie. Nuk është thjesht një event, nuk është thjesht koncerti im, por diçka më shumë për shoqërinë. Dhe unë këtë dëshirë kisha në fakt. Nuk ka absolutisht si qëllim promovimin dhe nuk është aspak marketing. Është një gjest, do të thosha. Ndjesia kur luan në vendlindje është shumë e veçantë. Jam shumë e lumtur që ideja e Piramidës u realizua, pasi ishte shumë e vështirë.

ASP_9984
Pse? Në çfarë vështirësish keni hasur?
Piramida është një vend i rrënuar dhe kërkon shumë punë për të krijuar kushtet e nevojshme. Fatmirësisht kemi qenë të mbështetur nga sponsor të ndryshëm dhe nga ministritë. Unë u dashurova me sallën kur e pashë. Dikur ajo sallë ka qenë teatër dhe në të janë dhënë shfaqje. Më pëlqeu shumë akustika. Më pëlqen ideja që nëpërmjet artit dhe një evenimenti të vihet në pah një monument i cili është lënë pak në harresë. Me këtë aktivitet ne ndoshta do arrijmë që diçka të ndodhë në atë vend, që të ketë një tjetër qendër artistike në Tiranë. Është një qytet me më shumë se 1 milion njerëz dhe sigurisht që një qendër artistike më shumë do ishte diçka e mirë.
Muzika dhe ajo që do të sillni përpara publikut, ka kritere të caktuara dhe kërkon një ambient specifik?
Po. Me muzikën time dhe me këtë koncert desha të dilja pak nga standardet dhe të përdorja këtë ambient, i cili ka kohë që nuk shfrytëzohet.

a
Ke realizuar plot 8 albume; pse kaq shumë?
Katër prej tyre janë nën emrin tim, kurse katër janë në bashkëpunim me artistë të tjerë. “Muza e zezë” është albumi im i parë si kantautore. Të gjitha këngët janë shkruar nga unë, si muzika, edhe tekstet. Dy prej teksteve janë shkruar prej Ndoc Gjetjes dhe Besa Myftiut. Në të ndihen të gjitha influencat e gjithë rrugëtimit tim muzikor. Nuk ka të bëjë shumë me folkun, por do të jenë kompozicione origjinale.

ASP_0301
Mendon se mund të zhgënjehen dëgjuesit duke qenë se janë mësuar të dëgjojnë prej teje folkun shqiptar kombinuar me “Jazz”?
Besoj se ka një lloj kureshtjeje në publik për të parë se çfarë ka brenda “Muzës së zezë”. Kam marrë vesh se nuk ka më bileta për koncertin, pra janë shitur të gjitha (qesh). Kjo sigurisht më gëzon shumë. Më duket diçka shumë e bukur që paratë për një biletë koncerti që dikush blen, shkojnë për një kauzë bamirësie. Është një akt qytetar.
ASP_0300
Meqë janë shitur të gjitha, pse nuk e jepni koncertin më shumë se dy ditë?
Kjo është e vështirë, për arsye teknike. Por uroj që, dëshira e madhe që publiku tregoi të na krijojë mundësinë për të bërë diçka tjetër.
Çfarë të bëri të vendosësh që të ardhurat të shkojnë për bamirësi? Çfarë të ngacmoi?
Kjo është një formë që përdoret prej shumë kohësh në botë.
Pse ke zgjedhur këtë emër për albumin? Pse e “zezë”?
Në Shqipëri të zezën e lidhim shpesh me vdekjen, por në këtë rast nuk ka të bëjë me të. “E zezë” është zgjedhur për të treguar elegancë, melankoli, natë, errësirë, thellësi, mister… Tingëllon pak çuditshëm, por mësohesh shpejt. Ka dhe tre “z”, që tingëllojnë shumë bukur dhe më pëlqejnë.
ASP_0327
Na trego pak më shumë për këngët e këtij albumi…
Janë këngë dashurie, fëminie. Ajo që më ka shtyrë më së shumti për të shkruar këto këngë, një dëshirë vërtetësie. Ajo çka doja më shumë në këto këngë është që të tingëllojnë të vërteta. Besoj që, vetëm e vërteta depërton tek publiku. Mendoj që për një krijues, nuk ka gjë më të bukur sesa fakti që kënga e tij të bëhet pjesë e dikujt tjetër, pjesë e jetës së dikujt tjetër. Dhe secili nga ne bën filmin e tij me atë këngë. Ishte një dëshirë shumë e madhe dhe një urgjencë artistike, le të themi. Unë këto këngë i kam shkruar ndër vite, e frymëzuar nga jeta dhe nga ngjarje të saj. Jam shumë e lumtur që sot kam këtu 15 këngë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

10251942_803686486329694_4192884713083226190_n

Comments

Leave a Reply