26Apr2011
Screen Shot 2015-05-22 at 17.39.59

Flasin per Anima Pictures edhe miqte e P-Ark

Brendimi me kosto të ulët i mjediseve të punës, duke përdorur sende të riciklueshme, po merr trajtat e një refreni për arkitektët që praktikojnë këtë fushë. Përqasje të tilla jemi mësuar t’i shikojmë shpesh përmes internetit apo revistave të huaja, por jo gjithmonë ndodh kështu. Disa ditë më parë në faqet dedikuar arkitekturës të një reviste të përjavëshme vendase, arkitekti Maks Velo nënvizonte eksperiencën e gjerë të arkitektëve shqiptar në lëmin e brendimit dhe tregonte në detaje eksperiencën, madje mund të thuhet eksperimentin, e një grupi brenduesesh të reja  (interior designers) nga Tirana. Të njëjtën eksperiencë duam ta sjellim edhe në p-ark, nëpërmjet fjalëve të vetë projektuesve.
Krijimi i një brendimi provizor për vendndodhjen e re të zyrës, kombinuar me deshirën për ta mobiluar hapësirën me një material autentik dhe të riciklueshëm, na dha idenë për të përdorur EURO –paletat në këtë dizenjim. Struktura e paletës : një peisazh i hapur autonom që ndryshon gradualisht karakterin e tij, krijon lehtësi në të gjitha pjesët e zyrës.
EURO-paleta, një strukturë e zakonshme druri, rëndom e përdorur për transportim mallrash në ndërtim, sillet në një formë krejt tjetër funksionale. Struktura e paletës është projektuar në mënyrë të tillë që përveç të qënit thjesht një vend pune, fton të qëndroni, të uleni apo të shtriheni mbi to. Koncepti i zyrës së hapur është krijuar për t’iu përshtatur  atmosferës kreative të studios së prodhimeve audiovizive “Anima Pictures”, me një atmosferë plotësuese informale.

Objekti ekzistues, pozicionuar në zonën më të frekuentuar të qendrës se kyeqytetit, asaj të ish-Bllokut, Tiranë, është një apartament prej 120 m²: një sallon relativisht i madh penetruar nga dy kolona që përcaktojnë një korridor të gjatë e të ngushtë si dhe një ndarje të qartë të tre dhomave. Si rrjedhojë, ideimi konceptual për këtë ambjent pune u organizua përgjatë boshtit gjatësor. Për shkak të specialitetit të “Anima Pictures”, ishte e “detyrueshme” që ambjenti të reflektonte një habitat bashkëjetues e përfshirës për mediat e reja.

Koncepti i dizenjimit, një peisazh i hapur autonom, u aplikua në këtë mënyrë: Si fillim hapësira ekzistuese u lye me boje të bardhë, për të siguruar një sfond homogjen për strukturën e paletës, shoqëruar me njolla të ngjyrave që karakterizojnë logon e kompanisë. Vetë paletat krijojnë një strukturë, e cila ndryshon gradualisht karakterin e saj duke u përshtatur në çdo hapësirë të zyrës. Në linjën e materialeve origjinale, për t’i dhënë privatësinë e nevojshme hapësirës dedikuar mbledhjeve, ndarja që krijojnë dy kolonat, përforcohet nëpërmjet ndërhyrjes me blloqe betoni.  Pjesa e fundit e dizenjimit përmban plotësime të strukturës së paletave si orenditë e ndriçimit, mobiljet dhe aksesorët, të cilët qëndrojnë nën njollën e zezë. E gjithë struktura synon një karakter lehtësues më shumë se sa imponues.

Dizenjimi lehtësisht mund të ndahet në tre zona kryesore: zona e hyrjes, zona e mbledhjeve dhe zona e vendeve të punës.

Zona e Hyrjes: Sapo hyn zyra në mënyrë spontane të drejton për në korridorin e gjatë e të ngushtë të krijuar nga struktura ndarëse midis dy kolonave. Kjo hapësirë bëhet më orientuese nga vendosja me qëllim e sistemit të ndriçimit linear.

Zona e mbledhjeve : Zona që bën impaktin më të fortë pamor është ajo e mbledhjeve. Ajo është private dhe publike në të njëjtën kohë. Ky karakter i dyanshëm i saj i jep hapësirës një notë të theksuar kreativiteti.

Zona e vendeve të punës : E percaktuar nga një ndarje e qartë e tre hapësirave me karakter të ndryshëm ku vendosen: drejtuesi kreativ, dizenjuesit grafik dhe stafi menaxhues, kjo zonë përbën ambjentin më të veçuar. Në secilën prej tyre asnjë nga kompozimet e paletave të tavolinave të punës nuk është i njëjtë me tjetrin. Ato janë të ndryshme dhe të përshtatura sipas funksionit të zyrës.

Paletat e përdorura janë EURO-Paleta me përmasa standarte 800 X 1200 mm. Ato janë vendosur mbi njëra-tjetrën, me zhvendosje të vogla duke formuar tavolina pune që përcjellin ndjesinë e mobiljeve luksoze, arritur kryesisht nga vendosja e xhamit mbi sipërfaqe. Secila ka një kompozim të pavarur që synon një karakter dinamik në ambjentet përkatëse.

Peisazhi i hapur lehtëson ndërveprimin dhe levizjen në një hapësirë aspak të zakonshme duke tërhequr vizitorët drejt një angazhimi në punimet e vetë kompanisë. Në vazhdim, struktura e paletave inkurajon fleksibilitet dhe alternativa të reja, si ulja në qoshet e saj duke krijuar një atmosferë informale ndërmjet “banorëve” të përditshëm. Përqasja e ideimit përpiqet të ruajë një vazhdimësi vizuale nëpërmjet bardhësisë së përgjithshme dhe theksimeve të kundërta të zeza të karrigeve dhe linjës ndriçuese.

Dizenjimi i zyrës është bërë në kuadrin e një zgjidhje ekonomikisht efikase, e cila arrin vlerën e 5,000 euro-ve. Kjo studio funksionale dhe moderne u realizua vetëm me 30 paleta në harkun kohor të 28 ditëve.
Dizenjuese : Klodiana MILLONA, Ajmona HOXHA, Mira IDRIZI

Foto: Blerta Kambo

Falenderojmë projektueset për kontributin e tyre në p-ARK!

Comments

Leave a Reply